Pastorala pascală a ÎPS Anastasios al Albaniei [2015]

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

PASHKË 2015

† Anastasi,

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Ngjallja – Lartësimi i dinjitetit njerëzor

     Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,

    Bij të shtrenjtë më Zotin,

    Krishti u Ngjall!

Me Ngjalljen e Tij, Krishti e lartësoi përfundimisht dinjitetin e njeriut, të cilin e rrëzon padrejtësia, dhuna, gënjeshtra, pasionet, mëkati, në përgjithësi, dhe e dërrmon vdekja. Perëndinjeriu Jisu, me pranimin e vullnetshëm të Pësimit dhe, duke triumfuar me Ngjalljen e Tij, mposhti gjithçka që poshtëron dinjitetin njerëzor.

Kremtojmë pikërisht këtë triumf që i hapi perspektivë të tërëndritshme qenies njerëzore. Në këtë të kremte plot dritë, Kisha jonë na këshillon të ndërgjegjësohemi më shumë për dinjitetin që na ka dhënë Perëndia.

Nga propozimet e ndryshme fetare ose filozofike në lidhje me dinjitetin njerëzor, më i guximshmi dhe më madhështori mbetet propozimi i besimit të krishterë. Ai bazohet në të vërtetën se njeriu është krijuar „sipas ikonës së Perëndisë” (Gjen.1:26-27, 5:1) dhe i është dhënë mundësia të ecë drejt „ngjashmërisë”, duke përdorur elementin „e llojit hyjnor”, i cili ekziston brenda natyrës njerëzore. Sigurisht, shumë njerëz nuk e pranojnë zbulesën e krishterë dhe formulojnë ide të ndryshme.

Por ky fakt nuk ia heq të vërtetën dhe fuqinë  traditës së krishterë, e cila ka qenë nënshtresa shpirtërore për deklaratat mbi të drejtat e njeriut dhe theksimin e veçantë që i bëhet dinjitetit njerëzor.

Besimi i krishterë ngjall te njeriu ndjesinë e vlerës së tij shpirtërore dhe morale. Mendimi theologjik ka theksuar si veçori të ikonës hyjnore të kuptuarin, ndërgjegjen, vullnetin. Në mënyrë të veçantë, theologjia orthodhokse ka theksuar me forcë lirinë dhe dashurinë. Nga zhvillimi i këtyre mundësive shpirtërore varet dhe dinjiteti personal i njeriut.

Për botëkuptimin orthodhoks, njeriu me dinjitet, në thelb, nuk është borgjezi që e ka rregulluar jetën më së miri, por njeriu fisnik me moral, i drejti, i ndershmi, i vërteti. Njeriu që vë në lëvizje të gjitha mundësitë shpirtërore dhe ecën drejt një pjekurie të brendshme të vazhdueshme. Dinjiteti i krishterë gërshetohet me përulësinë spontane, me sigurinë se, ajo që jemi, nuk është vetëm arritja jonë. Sigurisht, dëshira jonë është e domosdoshme, por është i nevojshëm edhe veprimi i Hirit Hyjnor.

Vlera e njeriut, dinjiteti ynë, plotësohet dhe përsoset në rrugën tonë për t’u bërë „pjesëmarrës të natyrës hyjnore” (2Petr.1:4). Shën Grigor Theologu e përkufizon njeriun si “një qenie që, ndërsa jeton këtu, udhëton për në një vend tjetër, dhe qëllimi i misterit është të hyjnizohet, si pasojë e thirrjes së Perëndisë” (Migne 36:632). Me ngjarjet e Pashkës, Krishti “vuan si i vdekshëm dhe, nëpërmjet pësimit, të vdekshmin e vesh me hijeshinë e paprishjes” (Shën Joan Damaskinoi).

Ngjallja e Krishtit përcakton kahun drejt lartësimit të njeriut të krijuar “sipas ikonës së Perëndisë”, i cili, duke vlerësuar thirrjen e tij për të arritur në “sipas ngjashmërisë”, ftohet ta realizojë këtë thirrje duke ndjekur Krishtin, së bashku me Atë, i Cili „…u ngjall të tretën ditë dhe i bëri gati çdo mishi Ngjalljen së vdekurish” (Liturgjia Hyjnore e Shën Vasilit të Madh) dhe i hapi horizonte të reja ekzistencës njerëzore. Ngjallja përcakton plotësinë e njeriut në Krishtin e gjallë dhe e vendos në perspektivën e përjetësisë.

Ky dinjitet ngjallësor i brendshëm duhet të shprehet dhe të rrezatojë, direkt ose indirekt, në jetën sociale, me pranimin dhe respektimin e dinjitetit të çdo njeriu. Pavarësisht origjinës, pozitës sociale ose bindjeve të tij, tjetri, si person njerëzor, është edhe ai i krijuar “sipas ikonës së Perëndisë”, meqenëse mbarë njerëzimi erdhi nga çifti i parë që krijoi Perëndia.

Ky ndërgjegjësim e udhëheq besimtarin në një qëndrim më të gjerë respekti e dashurie. Dhe për më tepër, në përpjekjen për mbrojtjen e dinjitetit të bashkënjerëzve tanë, që kërcënohen nga padrejtësia, varfëria, sëmundjet, papunësia, injoranca shpirtërore, aksidentet, të cilat çojnë në dëshpërim dhe mjerim.

Dinjiteti i krishterë, në përgjithësi, iu kundërvihet gjendjeve të këqija të shoqërisë sonë. I kundërvihet aktivitetit kriminal dhe mentalitetit fanatik fetar. Ai është kundër fuqive të ndryshme demoniake të padrejtësisë dhe korrupsionit, të cilat përhapin erën e keqe të Hadhit në shoqërinë tonë. Ky dinjitet, i çliruar nga dëshira për hakmarrje dhe nga frika, karakterizohet nga ndjeshmëria për ta shprehur solidaritetin social me vepra.

Vëllezërit e mi, sot, në ditën e gëzuar të Pashkës, Kisha jonë na fton të ndërgjegjësohemi se dinjiteti është kryesisht çështje e brendshme, lidhet  me bërthamën e personalitetit njerëzor.

Na fton të përjetojmë dinjitetin, si përvojë ngjallësore, të dëlirësuar brenda dhimbjes së Kryqit, të mbushur me energjinë dhe shkëlqimin e Ngjalljes. Ajo na thërret të bëhemi të ndërgjegjshëm për misterin e personit njerëzor dhe për qëllimin tonë final.

Njëkohësisht na frymëzon të bëhemi qeliza jetësore të shoqërisë, të cilat përpiqen për dinjitetin e bashkënjerëzve tanë dhe të popujve që iu është bërë padrejtësi. Siguria ngjallësore i fal dinjitetit të çdo të krishteri besimtar frymëzim, qëndresë dhe dinamikë të veçantë; ripërtërin vetëndërgjegjshmërinë tonë brenda dritës paskale.

    Krishti u Ngjall!

Me të gjithë dashurinë time më Krishtin,

† Anastasi,

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë,

 Prill, 2015.

Pastorala și Mesajul la Nașterea Domnului ale ÎPS Anastasios al Albaniei [2013]

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

    Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,

    Bij të shtrenjtë më Zotin,

“Unë erdha të kenë jetë dhe ta kenë me të tepërt” (Joani 10:10).

Në epokën tonë, në deklaratat publike, mbisundon theksimi i dinjitetit të njeriut. Por ngjarja që tregon me forcë unikale vlerën e jetës njerëzore, është ajo që zotëron në të kremten e sotme: Biri i Perëndisë së gjallë, të paafrueshëm dhe të tërëfuqishëm, mori natyrën njerëzore, u bë njeri.

Ky vazhdon të jetë mesazhi qendror mahnitës i Krishtlindjes. Perëndia nuk dërgoi engjëj për shpëtimin e botës, nuk mori formën e një krijese tjetër, por u bë njeri. Në këtë mënyrë theksoi qartazi vlerën e jetës së njeriut në vetvete dhe shfaqi shenjtërinë e çdo qenieje njerëzore.

Por, njëkohësisht, Ungjilli zbulon se Krishti erdhi për të lartësuar natyrën njerëzore, që t’i injektojë asaj jetë me bollëk. Pra, e kremtja e sotme, në të gjitha dimensionet dhe perspektivën e saj, është mbi të gjitha e kremtja e jetës.

Brenda atmosferës festive të Krishtlindjes, na jepet rasti të mendojmë më thellë për vlerën esenciale të kësaj dhurate që na e ka falur Perëndia, të cilën jemi duke e shijuar dhe gjithashtu, të rrisim respektin për çdo qenie njerëzore anekënd botës.

1. Duke e nisur së pari nga jeta jonë, është koha të shikojmë me kujdes gjërat që i quajmë të vetëkuptueshme. P.sh. siç është detyrimi ynë për të ruajtur më së miri jetën tonë biologjike, duke shmangur shpërdorime, pasione dhe gabime që e cenojnë dhe e minojnë dhe duke u përkujdesur për të zhvilluar të gjitha potencialet tona shpirtërore. Si një qelizë e gjallë e racës njerëzore, kemi përgjegjësinë dhe detyrimin për të kultivuar të gjitha dhuratat tona, të gjithë spektrin e krijueshmërisë sonë dhe që t’i ofrojmë njerëzimit gjënë më të mirë që disponojmë.

Madje, edhe në çastet më të errëta të dëshpërimit, le të sjellim ndër mend vlerën e pakapërcyeshme të jetës dhe se, në asnjë rast, nuk kemi të drejtë ta shkatërrojmë vetë me duart tona. Sprovat e shumëllojshme të jetës njerëzore, vështirësitë e shëndetit, varfëria, përndjekjet, shpifjet, shpesh çelin horizonte të reja shpirtërore dhe ekzistenciale.

Të përthithur nga përkujdesja për jetën tonë të përditshme, zakonisht neglizhojmë dimensionin tjetër që Krishti, Biri i Perëndisë çeli me ardhjen e Tij. Ai erdhi të na udhëheqë drejt një lulëzimi dhe frytshmërie shpirtërore, të na ofrojë “të tepërtën edhe të kësaj jete; pra, kjo është gjëja më e vyer, pjesëmarrja e përsosur e Shpirtit të Shenjtë” (Shën Kirilli i Aleksandrisë). “Me të tepërt” ka kuptimin e plotësisë cilësore që fal prania e Shpirtit jetëbërës tek ata “që mbeten në Krishtin”.

2. Drejtimi i dytë i meditimit krishtlindësor duhet të shikojë në forcimin e respektit ndaj jetës së bashkënjerëzve tanë. Kërcënimet e ndryshme kundër jetës, aktet vrastare, konfliktet e përgjakshme, kamxhikojnë realitetin e përditshëm. Me gjithë pretekstet e ndryshme, marrja e një jete njerëzore përbën jo vetëm krim ndaj viktimës, por në përgjithësi, është krim kundër njerëzimit.

Por përbuzja e jetës nuk kryhet vetëm me akte kriminale dhe dhunë të shumëllojshme. Njerëz të panumërt kërcënohen nga forma të ndryshme padrejtësie në sferën sociale dhe private. Padrejtësia i çon shumë njerëz drejt privacioneve, varfërisë dhe mjerimit.

Diçka që vepron, pa u dalluar qartë, kundër jetës njerëzore, është indiferenca ndaj cilësisë së jetës së bashkënjerëzve tanë. Ky fenomen nuk dënohet nga ligji, por nuk resht së minuari jetë të panumërta njerëzore. Madje në një epokë krizash, siç është kjo e jona, indiferenca shpesh kthehet në vdekjeprurëse.

Detyra imediate e të gjithëve ne, është të mbrojmë çdo jetë njerëzore me ndihmë konkrete, të shprehur në praktikë dhe solidaritet aktiv, duke mbështetur me fjalë dhe vepra, me dashuri të sinqertë, ata që ndodhen në sprova, ata që i ka plagosur varfëria, sëmundja dhe dëshpërimi.

Njëkohësisht, detyrimi i të krishterëve të ndërgjegjshëm është edhe dëshmia se përpos jetës biologjike, ekziston edhe një jetë e një cilësie më të lartë: ajo shpirtërore që fal dhe nxit besimin, që mundëson hapjen e zemrës sonë në zonën e Shpirtit. Një jetë që lëviz vazhdimisht duke u transformuar së brendshmi me sigurinë se Krishti erdhi “…që kushdo i cili shikon Birin dhe beson në atë të ketë jetë të përjetshme…” (Joani 6:40).

* * *

“Unë erdha që të kenë jetë dhe ta kenë me të tepërt” (Joani 10:10).

Mesazhi mahnitës i Krishtlindjes është se Biri i Perëndisë së Paafrueshëm u bë njeri. Bërja njeri e Fjalës Hyjnore shpall me bujë, vëllezërit e mi, vlerën e jashtëzakonshme të jetës njerëzore. Por në të njëjtën kohë, zbulon se Krishti erdhi  të na injektojë një jetë më të lartë, “pjesëmarrjen e përsosur të Shpirtit”, që shtrihet në përjetësi.

Le të përkujdesemi që në këto ditë festive, të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e dhuratës së jetës që na e ka dhuruar Perëndia.

Dhe për më tepër të shprehim mirënjohjen tonë me përpjekje të pandërprerë për zhvillimin e jetës shpirtërore.

Në të njëjtën kohë, le të forcojmë respektin për jetën e bashkënjerëzve tanë, duke luftuar dhunën, padrejtësinë dhe indiferencën që e minojnë atë. Le ta mbështesim me solidaritetin tonë dashuror

Krishtlindje të bekuara, me përpjekje të ndërgjegjshme për një shoqëri më njerëzore! Me frymëzimin e Krishtit, Viti i Ri le të jetë sa më shumë njerëzor!

Me dashuri të tërëshpirtshme më Krishtin,

+ Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.